Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë së “arrestit me burg”, ndaj 38 vjeçarit Xhakja. Në këtë seancë, prokuroria paraqiti provat e deritanishme kundër të pandehurit, duke e akuzuar atë për disa vepra penale. Seance gjyqësore ndaj 38 vjeçarit është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe në masa të rrepta sigurie. Ilir Xhakja akuzohet për vrasjen me armë zjarri të shefit të policisë së Shijakut, Adem Tahiraj mbrëmjen e së enjtes pranë fshatit Sukth, Durrës. Xhakja dyshohet se ka ekzekutuar me 5 plumba Kryekomisarin Tahiraj, që ishte në detyrë, duke ushtruar kontrolle në zonë, kryesisht për kapjen e personave që posedonin armë pa leje. Sakaq, policia ka shpallur në kërkim nipin e të pandehurit Xhakja, 17 vjeçarin Ledio Krasnaj, i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarjen e rëndë. Ndërkohë që, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar të hetohet procedura e ndjekur për lirimin e shtetasit Ilir Xhakja, i dënuar më parë me 21 vite burg në mungesë për vrasje nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe i arrestuar nga strukturat e policisë në vitin 2007. Ai është liruar nga burgu në vitin 2011, pas një vendimi të Gjykatës së Durrësit.


