Vendimi i Kolegjit u bë publik nga anëtari i trupit gjykues Tom Ndreca. Në mbledhjen e orës 10:00 të Kolegjit Zgjedhor, Partia Socialiste u tërhoq nga një prej ankesave të saj. Avokati i PS-së, Eno Bushi tha për mediat se tërheqja nga padia e bërë në datën 18 maj synonte grupimin e ankesave në një çështje të vetme. Sipas tij, Partia Socialiste kërkon shpalljen të pavlefshme të vendimit të KQZ-së për numërimin e fletëve të votimit si dhe rezultatin e shpallur nga ky institucion për fituesin e zgjedhjeve në Tiranë. Partia Socialiste kishte bërë dy padi për zgjedhjet në Tiranë; një në datën 18 maj ku kundërshtonte vendimin e KQZ-së për numërimin e fletëve të votimit dhe një në datën 23 maj ku e cilëson të paligjshme gjithë procedurën e KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit.


