Tiranë | Ankimimi i LSI-së në Kolegjin Zgjedhor, kërkohet rinumërim për 15 kuti në Kukës

Kolegji Zgjedhor ka shqyrtuar sot kërkesën ankimore të Lëvizjes Socialiste për Integrim ku kërkohet rrëzimi i dy vendimeve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit në Qarkun e Kukësit. Përfaqësuesi i LSI-së Ilirjan Muho kërkoi së pari ndryshimin e vendimit të KQZ-së me anë të të cilit u rrëzua një kërkesë ankimore e kësaj partie. Muho sqaroi se KQZ në nisje të mbledhje të saj, bazuar në Kodin Zgjedhor, duhej të shqyrtonte kuorumin, të cilin nuk e kishte pasi në tavolinë të pranishëm ishin katër anëtarë. Sipas Muhos mbledhja dhe vendimi i KQZ-së për rrëzimin e kërkesës ankimore janë të pavlefshme, pikërisht për shkak të mungesës së kuorumit. Së dyti LSI ka kërkuar ndryshimin e vendimit të KQZ-së për shpalljen e tabelave të rezultateve për qarkun Kukës. LSI paraqiti provat e saj sipas të cilave për 15 qendra votimi në këtë qark ka patur mospërputhje të rezultateve për koalicionin e djathtë, mes tabelave të dorëzuara zyrtarisht nga KZAZ-ja dhe materialeve filmike të cilat kjo forcë dispononte si prova. Sipas tabelave të dorëzuara zyrtarisht koalicioni i djathtë ka marrë 4056 vota, ndërsa sipas materialeve filmike të hetuara koalicioni i djathtë ka marrë 3901 vota në këto 15 qendra votimi, cka rezulton në një diferencë prej 155 votash. Kjo diferencë do të ishte përcaktuese në ndarjen e mandateve e cila në qarkun e Kukësit përcaktohet nga një ndarje minimale prej 15 votash, duke bërë që një mandat të kalojë nga koalicioni i djathtë në favor të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjithashtu në Kolegjin Zgjedhor u depozitua një ekspertizë sipas së cilës pas shqyrtimi të materialeve filmike në 15 qendra votimi gjatë monitorimit të leximit të votave, 15 fletë të cilat nuk kanë patur asnjë shenjë dalluese në favor të ndonjë subjekti janë lexuar si vota. Për këto arsye përfaqësuesi i LSI-së ka kërkuar rinumërim të kutive për 15 qendra votimi të qarkut Kukës. Nga ana e saj pala e paditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka deklaruar se materialet filmike nuk i shërbejnë hetimit pasi në to nuk dallohet qartazi numri i qëndrës së votimit së cilës i përkasin fletët. Më pas palët kanë paraqitur ekspertët e tyre, përkatësisht Ardian Pollo për LSI-në dhe Zamir Hoxha për PD-në të cilët në datën 25 Korrik do të dorëzojnë pranë Kolegjit Zgjedhor aktin e ekspertimit.

Advertisement