Tiranë | Ambasadori Sequi: të zbardhen plotësisht ngjarjet e 21 janarit

Etore-Sequi1-300x214

Ambasadori i BE-së i pyetur lidhur me hetimet e 21 janarit theksoi se është tejet e rëndësishme të hidhet dritë mbi ngjarjet e 21 janarit. “Ne kemi ndjekur me vëmendje deklaratat e djeshme të Kryeprokurores Ina Rama ambasadorit amerikan dhe mikut tim Arvizu, zëdhënëses së kryeministrit dhe opozitës dhe po e ndjekim nga afër këtë çështje. Siç e dini, përpara disa ditësh ne kemi nxjerrë së bashku një deklaratë trepalëshe. Në këtë deklaratë ne kemi thënë se është e nevojshme të zbardhen plotësisht ngjarjen e 21 janarit. Dhe është tejet e rëndësishme që të jetë një hetim gjithëpërfshirës, i pavarur dhe i paanshëm. Pra është tepër e rëndësishme të hidhet dritë mbi ngjarjet e 21 janarit. Kemi shtuar që shqiptarët presin të vendoset drejtësia”, tha Sequi. Ambasadori Sequi në një zë me ambasadorin e SHBA-ve Aleksandër Arvizu nënvizoi se ata presin që hetimi të vazhdojë nëpërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, duke nënvizuar rishtas mbështetjen dhe besimin e plotë tek Prokuroria. “Kemi besim që Gjyqësori në Shqipëri do ta bëjë punën e vet që të vihet në vend drejtësia”, u shpreh ambasadori Sequi. Ai nuk bëri asnjë koment lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të PS-së për arsye të hetimeve të 21 janarit, duke nënvizuar se për këtë çështje janë bërë deklarata ngaherë. Kjo deklaratë u bë pas tryezës së Komitetit Drejtues të Projektit të BE-së EURALIUS III për konsolidimin e drejtësisë në Shqipëri. Ambasadori Sequi deklaroi se drejtësia është një faktor shumë i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane, andaj BE ka dhënë një ndihmë tejet të çmuar për konsolidimin e drejtësisë në vend.

Advertisement