Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, pas një takimi me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, në selinë e PS-së, shprehu shqetësim për mosfunksionimin e plotë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Një çëshje me shqetësim për SHBA-në, komunitetin ndërkombëtar, përfshi edhe vetë shqiptarët, mbetet funksionimi i plotë i KQZ-së. Ne vijojmë të jemi të frustruar nga fakti se KQZ nuk është plotësisht e konstituuar, në kushtet e mosfunksionimit të plotë. Ne vijojmë të bisedojmë me miqtë tanë të besuar dhe partnerët duke tentuar për të kuptuar nëse ekziston mundësia që partitë të punojnë së bashku për të bërë të mundur konstitutimin e plotë të KQZ-së në mënyrë që të jetë plotësisht funksionale, për t’i shërbyer nevojës së zgjedhjeve”, tha Arvizu për mediat, pas takimit në selinë e PS-së. “Ne, vijoi, ambasadori, bisedojmë edhe me parti të tjera dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë, gjithmonë jam optimist për një zgjidhje, por gjithashtu jam realist. Ne dëgjojmë dhe lexojmë me shumë vëmendje deklaratat e kryeministrit Berisha, të z. Rama dhe të z. Meta, por ata natyrisht nuk janë ende afër një zgjidhje”.