Sipas deklaratës së ambasadës, raporti i ODIHR identifikoi mangësi në këto zgjedhje. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë me kënaqësi publikimin më 14 shtator nga Zyra për Institucione Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të OSBE-së të raportit përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Mirëpresim përmirësimet e bëra në krahasim me zgjedhjet e kaluara të përshkruara në raport, siç është kuadri i përmirësuar ligjor dhe procesi i regjistrimit të votuesve” thuhej në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së. “Këto zgjedhje shënuan përmirësim të prekshëm në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Raporti i ODIHR gjithashtu identifikoi mangësi. U shënuan probleme lidhur me numërimin dhe regjistrimin e votave, si edhe me anshmërinë e medias për partitë kryesore politike. Po ashtu, ODIHR nxjerr në pah veprime dhe presione problematike nga partitë politike dhe qeveria gjatë fushatës elektorale” thuhej më tej në deklaratë. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisin qeverinë shqiptare dhe të gjitha partitë politike shqiptare që ta shfrytëzojnë këtë raport dhe rekomandimet e tij për të përmirësuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të punuar me qeverinë shqiptare, OSBE-në dhe Bashkimin Evropian për t’u marrë me fushat e shënuara për përmirësim.


