Tiranë – Aldo Bumci, kryetari i ri i PD për Tiranën

Ish-ministri i Drejtësisë ka kryesuar me 509 vota ndaj dy kandidatëve të tjerë, Gjergj Bojaxhi me 175 dhe Lajla Përnaska me 41 vota. Aldo Bumçi është momentalisht zëdhënës politik i Grupit parlamentar të PD, kurse Bojaxhi, drejtor i KESH-it (Korporata Elektroenergjitike Shqiptare). “Të jesh kryetar i Partisë Demokratike për kryeqytetin, është një përgjegjësi e madhe, sepse Tirana nuk drejtohet vetëm. Atë, do ta drejtojmë së bashku”, deklaroi Bumçi menjëherë pas shpalljes së rezultateve të votimit. Në Kuvendin e PD së Tiranës, ishte kandidat edhe ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj i cili një ditë më parë shpalli tërheqjen nga gara. Mustafaj tha se largohej nga gara, nga PD e po ashtu edhe nga politika, pasi konstatoi se në zgjedhjet për PD e Tiranës ishin shkelur të gjitha parimet. Në deklarimet e tij disa ditë para zgjedhjeve, Berisha publikisht kishte mbështetur Aldo Bumçin për kreun e PD së kryeqytetit. Po dje, u fshi nga lista e kandidatëve për kreun e PD Tiranë, ish drejtori i ATSH, Edi Paloka. Emri i tij u hoq nga gara pasi nuk plotësonte kriteret e nevojshme të shpallura nga Kuvendi i PD së Tiranës.

Advertisement