Tiranë | Albpetrol me strukturë të re, shkurtohen 134 punonjës deri në fillim të 2014

Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë publike të nxjerrjes së naftës “Albpetrol” miratoi strukturën e re me 1868 punonjës, pas ristrukturimit të plotë të kompanisë. Struktura e re me 1868 punonjës parashikohet të arrihet brenda 3-mujorit të parë 2014, pasi procedura përkatëse për riorganizimin e kompanisë kërkon zbatimin e disa afateve kohore, bëri të ditur sot zyra e shtypit e “Albpetrol”-it. Këshilli Mbikëqyrës i “Albpetrol” sh.a, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë ka vendosur gjithashtu mënyrën e trajtimit të punonjësve, që pritet të dalin të papunë nga ky ristrukturim. Për punonjësit aktualë të shoqërisë, të cilët janë në marrëdhënie punë me të jo më pak se dy vjet punë pa ndërprerje deri në datën e hyrjes në fuqi të VKM nr 106 datë 01.02.2012, do të përfitojnë shpërblim me një vit pagë për ndërprerje të marrëdhënieve të punës. Gjithashtu do të ketë shpërblim për Vjetërsi Pune që do të jetë të paktën sa paga e një 15-ditëshi mbi çdo vit pune të plotë, e që llogaritet në bazë të pagës aktuale në përfundim të marrëdhënieve të punës. Në rastet kur paga është e ndryshueshme, shpërblimi llogaritet mbi mesataren e pagës të vitit paraardhës dhe indeksohet. Shpërblimin për vjetërsi e përfitojnë punonjësit aktualë të “Albpetrol”-it, që janë aty në marrëdhënie pune prej jo më pak se 3 vjet pa ndërprerje deri në datën e hyrjes në fuqi të VKM nr 106 datë 01.02.2012. Pas negociatave që janë kryer me punonjësit, janë miratuar listat për ata që përfitojnë trajtim sipas VKM-së. Nga këto, 874 punonjës kanë përfituar menjëherë trajtimet përkatëse. Shkurtimi me 134 punonjës të tjerë sipas strukturës së re, do të realizohet brenda 3 mujorit të parë 2014. Për të gjithë punonjësit pagesa do të kryhet maksimalisht në 4 këste. Për vjetërsinë në punë, data nga do të fillojë përllogaritja e viteve të punës është ajo e themelimit të shoqërisë Albpetrol sh.a, 08.04.1999. Së shpejti “Albpetrol” sh.a do të nisë testimin për të gjithë punonjësit e emëruar në tre vitet e fundit, me synim, identifikimin e punonjësve që nuk kanë kualifikimin e duhur për të kryer proceset e punës në vendin ku janë emëruar. Rezultatet e testimit do të bëhen publike në përfundim të tij, njoftoi “Albpetrol”-i.

Advertisement