Tiranë | Akuza e Prokurorisë për Gjikën, Rama: Ne presim që drejtësia dhe jo politika, të thotë fjalën e fundit

Kryeministri Edi Rama u shpreh dje se si Kryetar i Partisë Socialiste dhe si Kryeministër i vendit, inkurajon drejtësinë të bëjë punën pa asnjë pengesë politike lidhur me akuzat për korrupsion të pretenduara nga Prokuroria ndaj Kryetarit të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika. Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Rama theksoi se të gjithë duam të shpresojmë se akuza për një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron dhe se kryebashkiaku do të provojë pafajësinë e vet, me argumente dhe fakte të besueshme. “Nuk ka pikë dyshimi se dëshira jonë është ta shohim Shpëtim Gjikën të çliruar nga akuza e rëndë dhe ne duam të shpresojmë së kryebashkiaku socialist i Vlorës do të provojë pafajësinë e vet, me argumente dhe fakte të besueshme. Por nga ana tjetër, duhet të jetë e qartë për të gjithë, se ne nuk do të bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari nga Prokuroria për korrupsion dhe abuzime me detyrën shtetërore, as sot as kurrë. Ne duam një Shqipëri të drejtë dhe të barabartë, me këdo dhe për këdo, në raport me ligjet e këtij vendi dhe kjo vlen jo vetëm kur akuzohen kundërshtarët, por në radhë të parë, kur akuza drejtohet nga ne, drejt njërit prej nesh.” Kryeministri Rama përfundoi fjalën e tij duke theksuar se “do të jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij, edhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë, siç pretendon Prokuroria. Por, si Kryetar i Partisë Socialiste dhe si Kryeministër i këtij vendi, unë mundet vetëm ta inkurajoj Prokurorinë dhe drejtësinë të bëjnë punën e tyre deri në fund dhe ne mundet vetëm të presim që drejtësia dhe jo politika, të thotë fjalën e fundit.”

Advertisement