Tiranë | 9 vjet nga Lumturimi i Nënë Terezës

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në mbarë botën si Nënë Tereza e Kalkutës u lumturua në 19 tetor të 2003 nga Papa Gjon Pali i Dytë. “Në emër të të varfërve e të dashurisë për zotin” ishte motivi që mijëra besmitarë e dhjetra personalitete të mblidheshin në festimet e organizuara në sheshin e Shën Pjetrit me këtë rast. Pjesëmarrësit të cilët ishin 300.000 midis të cilëve 3000 të sëmurë dhe të pastrehë, të mbledhur nën autoritetin apostolik të Papës, festonin hapin e parë të hedhur drejt shenjtërimit të bamirëses së madhe. Gruarja me shtat të shkurtër por me shpirt të madh gjithë jetën e saj ia kushtoi të varfërve. Ajo është vlerësuar në vitin 1979 me çmimin “Nobel” për Paqen. Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës. Nënë Tereza, e veshur gjithnjë me mantelin e bardhë, më shirita blu të urdhërit të Misionareve të Bamirësisë, që ajo kishte ngritur në vitin 1950, kishte zakon të thoshte se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse “një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh”, por, shtonte ajo, “nëse kjo pikë nuk ekzistonte, ajo do t`i mungonte detit”. Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator të 1997 në moshën 87-vjeçare dhe prehet në selinë e urdhrit të misionarëve të bamirësisë në Kalkuta të Indisë. 19 Tetori është shpallur festë kombëtare nga qeveria shqiptare. 

Advertisement