Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e parë të tij në sesionin e ri parlamentar, diskutoi projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve (BEI)”, që parashikon marrjen e një huaje me vlerë 35 milionë euro për ndërtimin e këtij Bypass-i. Zv/ministri i Transportit, Ernest Noka, duke u ndalur në rëndësinë e këtij financimi, tha se objektivi i ndërtimit të Bypass-it të Fierit është rritja e shpejtësisë në lëvizje, çlirimi i trafikut si dhe rritja e sigurisë në rrugë. Sipas relacionit që shoqëron këtë p/ligj, projekti i referohet ndërtimit të një bypass-i rrugor të tipit autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit, me gjatësi afërsisht 22 km, dhe është parashikuar të zbatohet për një periudhë trevjeçare. Kosto totale e parashikuar për realizimin e këtij projekti është rreth 81.2 milionë euro.