Tiranë | 22 vjetori i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës

Përkujtohet sot 22- vjetori i rrëzimit të bustit të ish-diktatorit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, që drejtoi vendin për 45 vite me radhë, me dhunë të egër ndaj fjalës së lirë dhe kundërshtarëve të regjimit të tij komunist. Me këtë rast kryeministri i vendit Sali Berisha, përmes profilit të tij në Facebook, përkujtoi sot 20 shkurtin, ditën e përmbysjes së diktaturës hoxhiste. “Me 20 shkurt 1991, të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës, të udhëhequr nga PD në një akt guximi të jashtëzakonshëm, përmbysën në Tiranë me lëvizjen më të fuqishme, më masive e popullore, bustin e tiranit më mizor, Hitlerit të pasluftës së Dytë Botërore, Enver Hoxhës. Studentët me greven e tyre të urisë, të rinjte dhe qytetarët e Tiranës, 22 vjet më parë, nuk përmbysën vetëm shtatoren e diktatorit, por dhe bronxet e gjalla të bllokmenëve hoxhistë dhe diktaturën e tyre”, shkruan kryeministri. “Sot, pas 22 vitesh, vijon ai, ne nderojmë këtë ditë si anëtarë të NATO-s, si qytetarë që lëvizim të lirë në mbarë Europën. Por, sot, pas 22 vitesh, neobllokmenët me në krye Edi Ramën ngritën me votën e tyre murin e Bllokimit. Më 23 qershor ne do ta shembim atë. “Le të nderojmë së bashku sot pasdite në Qytetin Studenti 20 shkurtin, ditën që përmbysëm diktaturën komuniste dhe ndryshuam epokat dhe historinë. Ne jemi ndryshimi”, përfundon komentin e tij në FB, kryeministri Berisha.

Advertisement