Tiranë | 21 Janari: Gjykata dënon me burgim Prendin dhe Llupon

Gjykata e Apelit në Tiranë dënoi pasditen e sotme me 1 vit burg ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendin dhe 3 vjet burg ish- gardistin Agim Llupo, me motivacionin “vrasje nga pakujdesia”. Ndonëse dje Prokurori Shkëlqim Hajdari, gjatë seancës për gjyqin e “21 Janarit” në gjykatën e Apelit, ka kërkuar 23 vjet burg për ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendin, që akuzohet për vrasjen e Faik Myrtajt dhe 25 vjet burg për gardistin Agim Llupo, trupa e Gjykatës së Apelit, me kryetar gjyqtarin Agim Bendo, vendosi 1 vit burgim për ish-kreun e gardës dhe tre vite burgim për Llupon. Në Gjykatën e Apelit u zhvillua sot seanca gjyqësore ndaj dy gardistëve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo për katër vrasje gjatë protestës së 21 Janarit 2011 para Kryeministrisë. Avokati mbrojtës i Ndrea Prendit, Genc Gjokutaj, theksoi se vendimi ishte i padrejtë dhe së bashku me avokatin e Agim Llupos, Besnik Çerekja, siguruan se me t’u publikuar vendimi i plotë i gjykatës do të dërgojnë çështjen në Gjykatën e Lartë. Në protestën e 21 janarit u vranë shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Dy të pandehurit u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, ndërsa sot u mor një vendim ndryshe nga ai i krimeve të rënda.

Advertisement