Mësohet se politikat e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në vitin 2011 dhe gjatë vitit 2012 fokusohen në uljen e varfërisë dhe rritjen e punësimit. Ksera tha se ulja e varfërisë, ndyshimet në Ligjin për Ndihmën Ekonomike parashikojnë aplikimin e një forme të re vlerësimi që garanton përfshirjen në skemë të çdo familjeje që jeton në varfëri. Ai theksoi se nëpërmjet reformimit të skemës synohet arritja e objektivit madhor të Qeverisë që deri në 2013 të ulet ndjeshëm varfëria absolute dhe të zhduket varfëria ekstreme. “Masat e marra nga Ministria e Punës, kombinuar edhe me masat e Qeverisë në mbështetje të biznesit, sollën ulje të papunësisë nga 13.7% në 2010, në 13.26% në 2011 dhe gjatë vitit 2012 synojmë uljen e papunësisë nën nivelin 13%. Sipas të dhënave të INSTAT, punësimi gjatë 2011 u rrit me 2.7% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që synojmë që gjatë vitit 2012 punësimi të rritet me 3%. Synimi ynë është që nga shërbimet e ndërmjetësimit për punë, programet e nxitjes së punësimit dhe formimi profesional që ofrohen nga zyrat e punës të përfitojnë mbi 25 mijë punëkërkues”, u shpreh Ksera. Më tej ai theksoi se për herë të parë legjislacioni parashikon ndëshkime për shkeljen e të drejtave të fëmijëve, përfshirë edhe shfrytëzimin e fëmijëve për lypje apo punë. Ndër të tjera Ksera tha se prioritet gjatë vitit 2012 mbetet zgjerimi i rrugëve ligjore për emigracion të rregullt për punësim të shtetasve shqiptarë.