Shënohen 2 vjet nga demonstrata e 21 janarit, ku humbën jetën 4 protestues. Partia Socialiste pritet të organizojë një tubim homazh, që do të nisë nga selia e PS, për t’u drejtuar më pas në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e deri përpara kryeministrisë aty ku u vranë edhe katër protestuesit Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Në lidhje me këtë tubim të PS, Policia e Tiranës ka njoftuar se duke filluar nga ora 10.30 deri në orën 14.00, do të ketë kufizime të qarkullimit rrugor. Policia sqaron se këto masa merren me qëllim sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, duke kryer edhe disa kufizime lëvizjes së mjeteve përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza” nga ora 10.00 deri më 14.00. Po ashtu, kufizime të mjeteve do të ketë për zhvillimin normal të marshimit homazh, duke filluar nga sheshi “Austria” deri në afërsi të Kryeministrisë. Ndërkohë, kreu i PS-së Edi Rama deklaroi dje se sot shënohet një tjetër 21 janar pa drejtësi, madje një 21 janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm.

Advertisement