Tiranë | 100 vjetori i pavarësisë jep “amnisti” për të burgosurit

Qëllimi i projektligjit është dhënia e amnistisë, të gjithë personave të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, për vepra penale me rrezikshmëri shoqërore të ulët apo për kategori të caktuara të personave të dënuar. Projektligji “Për dhënie amnistie” është iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë. Nga aplikimi i amnistisë përfitojnë rreth 290 persona që gjenden në sistemin e burgjeve; 928 të rritur dhe 452 të mitur që ndodhen nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës dhe janë me masa alternative; 876 persona, të cilët deri në datë 31.08.2012 kanë qenë në hetim për veprat penale, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në dy vjet ose çdo lloj dënimi tjetër të lehtë. Përzgjedhja e kategorisë së personave që përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në këto kritere; lloji dhe masa e dënimit – deri në dy vjet; koha e mbetur e dënimit – deri në 1 vit; mosha aktuale e personit të dënuar – 55 vjeç për gratë dhe 60 vjeç për burrat; mosha e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale – nën 18 vjeç. Të gjitha këto kritere, tha Kryeministri Sali Berisha, “kanë një emërues të përbashkët që është rrezikshmëria e ulët e personit apo veprës penale”. “Dhënia e amnistisë bazuar në këto kritere garanton mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në rrezik sigurinë dhe rendin publik”, tha ai.

Advertisement