Pas një rrugëtimi 12-ditor në Fancë, në aktivitetin më madhor futbollistik të kontinentit, kuqezinjtë mbërrijnë në Tiranë sot në orën 16:00. Euro 2016, do të mbahet mend nga të gjithë për përfaqësimin e jashtëzakonshëm që bënë futbollistët tanë atje, por sidomos tifozeria. Pas tre ndeshjesh të bukura, të luajtura me shpirt dhe grintë nga futbollistët tanë, minutat e fundit të takimeve kanë qenë ndëshkuese sërish. Pësojmë atëherë kur mendonim se e kishim marrë të paktën një pikë, ndërsa humbasim raste pa fund. Më pas vjen fitorja e jashtëzakonshme me Rumaninë që na jep shpresë për vazhdimësinë. Por nuk mjafton vetëm ky tri pikësh. Na duhen kombinime rezultatesh edhe në ndeshjet e fundit në grupet e tjera. Por fati sërish nuk është me ne. Gjithsesi, kombëtarja na ka bërë krenarë për atë çka ka arritur në evropianin francez. Ata mbërrijnë sot në Tiranë, në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 16.00. Më pas kryebashkiaku Veliaj do t’u japë çelësin e Tiranës. Ministria e jashtme ka organizuar një pritje për futbollistët dhe stafin ku do t’u dorëzohen pasaportat diplomatike. Edi Rama do t’i presë heronjtë në kryeministri për ta mbyllur më pas festën te sheshi Nënë Tereza me tifozët në orën 19.00. Kryeministri Rama nëpërmjet faqes së tij në Facebook ka kërkuar mbështetjen e të gjithë tifozëve për t’i bërë një pritje madhështore futbollistëve dhe trajnerit De Biazi, për t’i treguar respektin dhe mirënjohjen për atë çka arritën në Euro 2016.