Kryeministri Edi Rama reagoi sot ne një konference për shtyp ndaj deklaratës së Ish-kryeministrit Sali Berisha për armatosje ku u shpreh se, ka disa arsye për të hetuar Berishen si ish kryeministër, por thirrja e tij për armatosjen është një arsye më shumë për ta hetuar. “Jemi vend jo normal për sa kohë ç’shkruhet në ligje nuk zbatohet njëlloj”, tha Rama ndërsa shtoi se, “Berisha nuk do të hetohet për sa kohe reforma në drejtësi nuk do zbatohet”. Humbja e kohës me këtë personazh nuk do t’ja vlente nëse ai nuk do të përfaqësonte opozitën. Njerëz të ndershëm dhe të arsyeshëm përpiqen të gjejnë pse-në e thirrjes haluçinante të Saliut. Shumë prej tyre më kanë shkruar mua të tronditur. Të gjitha çfarë thonë bëjnë sens, por në fakt s’ka asgjë të re për t’u shqetësuar përveç reformës në drejtësi. “Parlamenti nuk u tregon shqiptarëve rëndësinë e ligjeve që miraton, por u tregon pafuqinë e ligjit përballë një personazhi aq qesharak sa në çdo vend tjeër do ta kishin sistemuar në arkivat e kohës”, tha Rama. Kryeministri theksoi se, “sa më shumë rritet presioni publik dhe ndërkombëtar për reformën në drejtësi aq më shumë rritet tensioni në parlamenet. Në fakt ka ardhur në rritje tensioni artificial që PD dhe Saliu e kanë çuar në kulm duke bërë thirrje për të marrë armët. Duke krijuar një atmosferë sa më të rëndë dhe duke nxitur zhvillime që mund të pengojnë reformën në drejtësi”. “Saliu nuk e do reformën . As PD nuk e do. As Saliu as PD nuk kanë kurajën të thonë se nuk duan por duan ta hedhin në erë duke rritur tensionin dhe të justifikojnë asgjësimin e reformës. Ja pse rritën në kulm gënjeshtrat për rastin e Emiljano Shullazit, pas mesazhit të marrë nga Shtëpia e Bardhë për reformën. Ja pse është rritur koshi i plehrave të letrave anomini të mesazhit dixhital”, tha Rama. Rama tha se, Berisha i druhet mesazhit të Shtëpisë së Bardhë. “Ndërsa duhej të ishte intensifikuar puna për reformën pas mesazhit të qartë nga Shtëpia e Bardhë vjen mesazhi për të marrë armët me demek për tu mbrojtur nga krimi që ka marrë dhenë, por në fakt për të mbrojtur Saliun nga reforma në drejtësi. Sepse Saliu e di më mirë se të gjithë mesazhet e Shtëpisë së Bardhë që nuk janë rregulloret e Kuvendit që ai i shkel. Prandaj thërret në ndihmë arsenalin e mendjes së tij duke treguar një film aq të tmerrshëm me kriminelë dhe qeveritarë që janë bërë bashkë. Në pritje të gjejë ca qorra për të bërë ndonjë nga ato hatatë që ai ka treguar në histori se i thërret në ndihmë kur i lëkunden fort këmbë, jo më sot që e kanë lënë dhe gjunjët . Saliu sot nuk ka asgjë në dorë dhe askush nuk duhet të shqetësohet dhe të marrë seriozisht mundësinë që të shfaqen rpapë armët. Por të gjithë të shqetësohemi për fatin e reformës në drejtësi”, u shpreh Rama.