Thaçi: Vizita në Beograd i shërben normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë

Zëvëndëskryeministri i Kosovës njëkohësisht ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi deklaroi se “vizita e tij e ardhshme në Beograd do t’i shërbejë thellimit të bashkëpunimit Kosovë-Serbi”.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Thaçi konfirmoi se është ftuar nga një organizatë rinore joqeveritare me seli në Beograd, me rrjet në rajonin tonë dhe më gjerë.
“Në kuadër të pjesëmarrjes së disa personaliteteve nga OJQ të ndryshme, por edhe njerëz të politikës nga rajoni dhe më gjerë, unë kam konfirmuar pjesëmarrjen”, shtoi ai.
Sipas Thaçit, “kjo vizitë është një mundësi e mirë e thellimit të bashkëpunimit, apo një përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe do të ishte një mesazh i mirë si për Kosovën edhe për Serbinë, por edhe për paqen, stabilitetin e bashkëpunimin rajonal dhe një mesazh i pajtimit ndërmjet popujve tanë”.
I pyetur mbi paralajmërimet e autoriteteve serbe se në Serbi akoma ekziston dhe është në fuqi një urdhër arresti ndaj tij, Thaçi tha se “ajo periudhë e errët edhe për Serbinë edhe për rajonin ka kaluar”.
Ai shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me lidershipin në Serbi, për një rajon paqësor, bashkëpunues, për një fqinjësi të mirë dhe për të ardhme të sigurt euroatlantike.

Advertisement