Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili deklaroi sot për mediat se testimi i mjekëve nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë është i paligjshëm.
“Lidhur me këtë çështje, kam shprehur në disa raste kundërshtinë time lidhur me paligjshmërinë e testimit, i cili është i rëndësishëm sepse trondit legalitetin e veprimeve që ndërmarrim”, tha Vasili.
“Përsa i takon procesit në pikpamjen profesionale, me bërjen publike dhe të pyetjeve të testit besoj që procesi ka rënë. Pyetjet nuk kanë lidhje me profesionin e mjekësisë, janë pyetje interesante për njerëz që nuk merren me mjekësi, dhe sigurisht të tillë do të kenë qenë ata që do i kenë përpiluar dhe kushdo që do t’i kosultonte do të kuptonte që janë interesante për t’u njohur me botën e mjekësise por nuk kanë lidhje ne profesionistët e mjekësisë. Pyetjet kanë dozë humori, ku dhe ju mund të kthenit përgjigje”, u shpreh Vasili për mediat.
Sipas kreut të grupit parlamentar të LSI-së, zgjidhje inteligjente e qeverisë do të ishte tërheqja nga ky testim. “E gjithë kjo zgjidhje e vetme dhe inteligjente të ishte tërheqja dhe ecja më tej për të përforcuar performancën e personelit mjekësor”, tha Vasili.