Partia Socialiste ka reaguar pas akuzave që demokratët kanë lëshuar kundër Policisë së Shtetit.
Deputetja socialiste Blerina Gjylameti duke përmendur ato që i cilësoi suksese të aksioneve tha se këto janë sulme, që synojnë të përbaltin imazhin dhe punën e Policisë së Shtetit.
“Shqiptarët e kanë ende të freskët se si kishte degraduar Policia e Shtetit për tetë vjet rresht. Sesi Lazarati sfidonte shtetin, ndërkohë që Shqipëria zhytej në listat e zeza të vendeve që prodhonin e trafikonin drogë.Megjithatë, opozita ka të drejtën të zgjedhë rrugën e vet, por Partia Socialiste e inkurajon Policinë e Shtetit për të vazhduar luftën e nisur ndaj krimit, trafikut, informalitetit”, është shprehur Gjylameti.
“Ne jemi të bindur se duke mbështetur pa kursim Policinë e Shtetit dhe duke mos i politizuar aksionet e saj, problemet mund të lehtësohen dhe mjedisi më i sigurt për qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë e të huaj do të jetë realitet i përditshëm”, ka përfunduar ajo.