Të rrezikshme?

Shapkat dhe sandalet me gisht mund të shkaktojnë dëme serioze gishtave dhe muskujve të këmbëve. Këto lloj shapkash e sandalesh madje cilësohen si më pak të shëndetshme se ato me taka 12 cm. Ky ka qenë zbulimi i një studimi të Shërbimit Shëndetësor Britanik, i detyruar të paguajë 40 milion stërlina (rreth 48 milion euro) për të kuruar mbi 200 mijë pacientë të dëmtuar nga shapkat me gisht. Sipas sondazhit 15 milion persona veshin flip-flop të paktën një herë në muajt veror dhe një grua në pesë zotëron një palë syresh.

Sipas mjekëve këto lloj shapkash tentojnë të deformojnë këmbët e atyre që i veshin pasi mbështetja spostohet nga thembra jashtë gjymtyrëve, duke shkaktuar dëme afatgjata jo vetëm tek gishtat, por edhe në muskujt e këmbëve me një dhimbje që përhapet në pulpa dhe kofshë.

Advertisement

Shapkat/sandalet me gisht janë shumë të rrezikshme kur drejtojmë makinën. Shumë shpesh këto lloj sandalesh përdoren pasi janë praktike dhe mund t’i veshësh kudo madje dhe në terrene të egra. Por kështu jo vetëm që rrezikohet të rrëshkitet, por dhe të vritesh. Mjafton shumë pak që të rrëshkasë këmba nga një gur apo të shkelet këmba nga të tjerët. Veshja e shapkave me gisht është shumë e rrezikshme kur nget makinën, pasi këmba mund të rrëshkasë nga pedali kur frenoni. Një studim i realizuar nga Sainsbury Car Insurance zbuloi se numri i personave që ngisnin makinën me shapka me gisht apo zbathur, ish rritur ndjeshëm. Jo rastësisht korrikun e shkuar ka pasur një rritje të aksidenteve me 4% krahasuar me një vit më parë.

Ja disa rregulla që duhet të ndiqni në rast se nuk doni të hiqni dorë nga shapkat me gisht pa shkaktuar dëme shëndetësore. Këto lloj shapkash nuk duhen blerë rastësisht dhe lirë. Gjithashtu shputa duhet të ketë një mbështetje të mirë në këto shapka. Nëse ato përthyhen lehtësisht, atëherë nuk duhet t’i blini. Këshillohet që shapkat me gisht t’i ndërroni çdo vit. Nuk duhen veshur në mënyrë absolute nëse keni për të bërë punë të rënda, të ecni gjatë apo të bëni aktivitete sportive.