Nëntë nga 25 personat e plagosur në ngjarjen e Pogradecit janë në gjendje kritike, me djegie të shkallës së tretë.
Shefi i pavionit të djegieve në QSUT, Gjergji Belba në një prononcim për mediat ka bërë të ditur gjendjen shëndetësore të të plagosurve.
“Dje janë paraqitur 23 pacientë, midis tyre 9 janë shtruar në terapinë intensive në gjendjen më të rëndë, 8 në pavion në gjendje të mesme, dhe 6 në gjendje më të lehtësuar. Flasim për djegie të gradës së tretë kryesisht, janë të thella dhe që kanë prekur pjesë kritike, duar e fytyrë. Jemi duke bërë gjithë ekzaminimet dhe për momentin e kemi të stabilizuar 14-vjeçarin që është në gjendje më të rëndë”, tha Belba.
Për momentin thonë mjekët, nuk është i mundur transferimi jashtë shtetit për asnjë prej pacientëve.
“Nuk është i mundur transferimi i tyre jashtë shtetit pasi duhet të stabilizohen njëherë. Ne jemi në vazhdimësi të mjekimit. Njëri është më i ri, të tjerët janë të moshës 25-45 vjeç”, thotë mjeku Belba.
Ndërkohë kanë mbërritur gjatë ditës së sotme në QSUT, edhe 2 prej të plagosurve që ishin shtruar në Korçë, duke e çuar në 25 numrin e personave të shtruar në pavionin e djegieve.
Mëngjesin e sotëm, Ministri Beqaj vizitoi sërish të dëmtuarit për të parë gjendjen e tyre shëndetësore.