Taylor Swift ka treguar me detaje se si është sulmuar nga një ish-DJ i një radioje amerikane. Ajo tashmë e ka bindur një gjyqtar duke vërtetuar përmes një fotoje që, sipas saj, tregon se David Muller ka tentuar ta ngacmojë nën fustanin e saj më 30 maj 2013. Në dëshminë e saj të publikuar nga Billboard, Swift ka treguar: “Në momentin që do të pozonim për një foto ai ngriti fustanin tim dhe më preku të pasmet. Ajo ishte krejtësisht e qëllimshme dhe kurrë nuk kam qenë më e sigurt në jetën time. Kjo gjë më mërziti dhe ishte një rast që nuk e kisha përjetuar më parë”. David Muller i ka mohuar akuzat dhe ai është shprehur se është përzënë nga koncerti bashkë me të dashurën e tij pas fotos që shkrepën me Taylor Swift. Pas këtij incidenti, Muller është shkarkuar menjëherë nga puna. Kjo çështje është çuar në gjykatë në shtator të vitit 2015 nga vetë David Muller, i cili e ka akuzuar Swift se është shkaku që e kanë shkarkuar padrejtësisht, me pretendimin se dikush tjetër ishte përgjegjës për incidentin. Sipas tij mund të ketë qenë asistenti i saj ai që e ka prekur por në një kundërpadi thuhet se këngëtarja është e sigurt se kush e ka shkaktuar incidentin.