Tahiri: Zgjedhjet më të mira në histori. Falenderoj opozitën për bashkëpunimin

Foto Arkiv

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një deklaratë të mbajtur paraditen e së martës, e ka cilësuar procesin e zgjedhjeve të 21 qershorit si më të mirin në histori.

“Fituesit e zgjedhjeve janë qytetarët, demokracia dhe shteti ligjor, që pa demokraci nuk mund të hedhin rrënjë të shëndetshme në vendin tonë. Qytetarët dhanë një shembull qetësie e qytetarie, duke votuar në mënyrë shembullore. Por ishte edhe vullneti institucional”, ka deklaruar Tahiri.

Advertisement

“Këto janë zgjedhjet më të mira të 25 viteve të fundit, pa asnjë akt dhune, që mund të cënonte sado pak zgjedhjet në 61 bashkitë e vendit. Këto zgjedhje janë dëshmia më e qartë, se kur vullneti politik shkon në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të interesave partiake, zgjedhjet e lira mund të organizohen”, ka vijuar ministri.

“Ky është një standard nga i cili nuk mund të kthehemi pas, por vetë të ndërtojmë standarde të tjera mbi të”, ka thënë Tahiri, i cili një falenderim u ka drejtuar edhe kandidatëve të opozitës.

“Falenderoj të gjithë kandidatët e mazhorancës dhe opozitës, me të cilët komunikova intensivisht. Dëshmuam se neve na ndajnë partitë, por kur na bën bashkë vullneti për zgjedhje të lira e të ndershme, realizimi i standardeve është tërësisht i mundur”, ka theksuar Tahiri.

Më tej ai ka falenderuar edhe kryetaren e KQZ, Lefteri Luzi dhe kryeprokurorin Llalla për bashkëpunimin, si dhe drejtorin e përgjithshëm të policisë, drejtorët në rrethe dhe 6 mijë agjentët që u shërbyen qytetarëve për të arritur standardet zgjedhore.

Nga ana tjetër, Tahiri ka paralajmëruar hetim për ato raste për përpjekje të manipulimeve, që mund të cënonin sado pak procesin zgjedhor.