Tahiri: Të gjithëve na kërkohet që këtë javë t’i japim një mundësi Tiranës

Problemet e shumta me ujësjellës-kanalizimet dhe rrugët e shkatërruara ishin shqetësimet e banorëve të njësisë nr.6 në Kombinat, të cilët kërkuan më shumë vëmendje nga kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, pas zgjedhjeve të 21 qershorit, i cili shoqërohej nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Banorët u shprehën se në këto 4 vjet nuk e kishin parë asnjëherë kryebashkiakun aktual në zonë, ndërkohë që pusetat dhe ujërat e zeza janë dy çështje që kërkojnë zgjidhje të menjëherëshme nga bashkia.
“Kemi bërë një investim këtu. Këta të ujësjellës-kanalizimeve nuk marrin masa fare për ujin e pijshëm. Imagjinoni se çfarë bëhet, tallen me taksat e popullit. Uji rrjedh në 4-5 vende dhe në 2-3 vende i kemi eliminuar vullnetarisht. Kanë 5000 vetë atje në ujësjellës dhe thonë s’kemi punëtorë”, thotë njëri nga banorët e lagjes.
“Se si mund të jetë depo e ujit në majë të kodrës dhe këtu mos të ketë ujë, se uji del në rrugë, kjo është e paimagjinueshme. Katër vjet i provuam se çfarë dinin të bënin këta. Një javë kohë kemi: të ndajmë mendjen t’i ndërrojmë”, tha kandidati Veliaj.
Një banor tjetër shprehu shqetësimin për ujërat e zeza në zonë: “Po qe e mundur të vije të shikoje ujërat, atje ku janë pusetat e ujërave të zeza të hapura, në sipërfaqe, në rrugë. Nuk hapim dot dyert e shtëpisë ose dritaret për të ajrosur shtëpitë”, tha ai.
Ndërsa një banore u ankua për mungesën e ujit: “Këtu kemi patur ujë Selite. Tani ujin e Selitës na e morën, se ku e çuan? Tani ujin e blejmë sepse ky që na kanë sjellë nuk bën as për të larë rrogat”.
“Dy mundësi kemi: O të qahemi edhe 4 vjet të tjera, ose të përdorim këtë javë për t’i hequr këta e për të sjellë ca njerëz që bëjnë punën. Kaq e thjeshtë është. Unë besoj te kjo e dyta. Unë dhe Sajmiri çdo fjalë që kemi dhënë, e kemi mbajtur. Aty ku kemi pasur përgjegjësi, në Ministrinë e Rendit dhe në Ministrinë e Mirëqenies, i kemi shkuar deri në fund”, tha Veliaj.
Ndërkaq, ministri Tahiri tha: “Të gjithëve na kërkohet që këtë javë t’i japim një mundësi Tiranës që të vijë në drejtimin e duhur. Erioni është këtu të angazhohet, bashkë me mua dhe ju, që ta bëjmë këtë rrugë dhe gjithë problemet që ka lagja”.

Advertisement