Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri hodhi poshtë pretendimet e opozitës për ekzistencën e një pajisjeje përgjimi në zyrat e Policisë së Shtetit.
“Policia e shtetit nuk ka, nuk ka patur dhe as i lejohet që të ketë në të ardmen një pajisje përgjimi. Në Policinë e Shtetit nuk ka asnjë pajisje përgjimi. Ata që çirren për këtë do të marrin përgjigjie shumë shpejt”, tha Tahiri.
Ministri tha nga Akademia e Policisë se prokuroria ka të gjitha mjetet ligjore për të hetuar këto pretendime dhe i ofroi asaj bashkëpunimin e plotë në hetimin e saj.
Tahiri u shpreh i gatshëm që të paraqitet në Komisionin e Sigurisë në Kuvend, sapo t’i mbërrijë ftesa për dëgjesë, ndërsa akuzoi opozitën se po sulmon politikisht policinë e shtetit.
“Policia është në vijë të parë të sulmeve të tyre dhe unë këtë e kuptoj. Duan të intimidojnë Policinë e Shtetit, por nuk do ja arrijnë”, tha ai.
Lidhur me rastin e Klemend Balilit, Tahiri kishte të njëjtën përgjigjie si Ylli Manjani.
“I bashkohem Ylli Manjanit për këtë, pyesni prokurorinë”, tha ai.