Tahiri: Rritje pagash me 17% për Policinë e Shtetit

Pagat për Policinë e Shtetit do të rriten me 17% duke nisur nga Janari 2017. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka dhënë lajmin gjatë konferencës “Policia e Gjeneratës Tjetër”. “Sot është dita për një lajm të mirë. Po, pagat e mbi 11 mijë punonjësve të policisë në të gjithë Shqipërinë do të rriten përsëri nga Janari 2017. Kryeministri dhe qeveria ka vendosur që pagat e punonjësve të policisë të nivelit bazë të rriten me rreth 17% ose në vlerë absolute me një rritje 10.070 lekë të reja”, ka njoftuar Ministri Tahiri. Ministri shtoi se ky investim është në të mirë të sigurisë së vendit. “Deri dje ishte hall të ishte polic për shkak të pagës dhe kushteve skandaloze në punë. Punonjësit e Policisë sot paguhen më shumë, pasi ishin personat me pagën më të ulët në vitin 2013. Për dy vite me radhë, jo vetëm që kishin paga të ulta, nuk u paguheshin as orët shtesë dhe dietat. 2.2 milionë euro borxhe që qeveria e kaluar ia kishte policisë, ne i shlyem”, deklaroi Tahiri. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama theksoi se “Policia e Shtetit tashmë rezulton institucioni më i besuar i shqiptarëve”. “Nuk ka qeveri të përsosur dhe çdo ditë e më shumë i besoj fjalës së Reganit që thonte “qeveria nuk është zgjidhja, por problemi”. Por, është problem me të cilin çdo shoqëri duhet të jetojë. Nëse ka forcë kritike sot për Policinë e Shtetit, për fat të keq nuk është opozita, por jemi ne vetë. A ka në Policinë e Shtetit njerëz që nuk e meritojnë këtë uniformë? Patjetër. Por, a e meriton e gjithë kjo trupë që i ka dhënë vendit shpresë, që për hir të këtyre personave, të marrë çdo ditë baltë? Në asnjë mënyrë jo”, tha kreu i qeverisë.

Advertisement