Tahiri: Policia s’ka pajisje përgjimi; Llalla konfirmon nisjen e hetimit

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ishte i fundit që raportoi para Komisionit të Sigurisë mbi hetimet e nisura lidhur me çështjen e përgjimeve. Ai konfirmoi nisjen e hetimeve lidhur me këtë çështje. Sipas Prokurorit të Përgjithshëm, hetimet kanë nisur më 13 maj. “Prokuroria ka kryer një sërë veprimesh të rëndëishme që nga momenti i nisjes së hetimit në lidhje me këtë çështje. Janë kryer një sërë hetimesh dhe aktualisht priten rezultatet”, raportoi Lalla para  Komisionit të Sigurisë. Pas kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit, para Komisionit të Sigurisë raportoi edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili e mohoi kategorikisht disponimin nga Policia e Shtetit të një pajisje përgjimi. “Nuk ka pasur nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pajisje përgjimi. Policia e Shtetit po bën të gjitha përpjekjet e saj për të reformuar sektorin e sigurisë dhe mbi të gjitha për t’i dhënë qytetarëve të saj një standard të ri sigurie. Jam shumë i gatshëm të pres përgjigjen e prokurorisë në lidhje mbi këtë çështje, ndërsa kam vënë në dispozicion gjithçka për hetimin e Prokurorisë. Ka një program trajnimesh për të përgatitur efektivët e policisë dhe eksperienca me partnerët ndërkombëtarë është ndihma më e madhe që mund të na japin”, tha Tahiri. Më pas, Tahiri tha se policia disponon një pajisje trajnuese, por që nuk shërben për përgjim. “Kam thënë që policia disponon një pajisje që funksioni i saj dihet, e cila është në pronë dhe disponim nga partnerët italianë. Ne nuk kemi mundësi të kemi një pajisje të tillë përgjigje. Unë kam thënë se është një pajisje për synim trajnimi, por që nuk bën përgjim. Pajisja ka ardhur në vitin 2007, pas një marrëveshjeje të nënshkruar nga Bujar Nishani. Marrëveshje për mundësi trajnimesh dhe forcim kapacitetesh. Ka ndodhur shumë herë përpara se të vija unë në detyrë që policia italiane të ketë ndihmuar policinë shqiptare. Ka ndodhur dhe do të ndodhë, pasi na duhet profesionalizëm. Pajisja përdoret për një lloj trajnimi që i bën mirë policisë, por unë nuk mund të flas për teknikën e trajnimit”, shtoi Tahiri. Më herët, Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, raportoi para Komisionit të Sigurisë duke deklaruar se “Policia e Shtetit, gjatë gjithë veprimtarisë së saj, nuk ka kryer përgjime telefonike”. “Policia nuk ka asnjë pajisje përgjimi telefonik, për sa kohë është ky legjislacion në fuqi, ndërsa gjurmimi është koncept tjetër. Nuk është disponuar kurrë në ambientet e veta dhe asnjë punonjës nuk ka disponuar pajisje përgjimi. Gjithçka që ju pyesni janë pjesë e hetimit, e theksoj dhe një herë që Policia e Shtetit nuk ka pasur dhe nuk ka pajisje përgjimi. Çdo element i deklaruar këtu që është në dosje, cënon hetimin dhe mua më vendos para përgjegjësisë ligjore”, tha Çako, duke mos pranuar të ndajë me anëtarët e Komisionit të Sigurisë informacione të tjera.

Advertisement