Tahiri: Nuk njohim askënd mbi ligjin; Berisha i fali tokë në bregdet Dritan Zaganit

Arkiv

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri reagoi të hënën në Kuvend, pas akuzave të opozitës për përfshirjen e familjarëve të tij në trafikun e drogës.

Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare ku u votua heqja e imunitetit të deputetit socialist, Armando Prenga, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u ndërpre disa herë nga deputetët e opozitës, të cilët kërkonin dorëheqjen e tij pas intervistës së dhënë nga ish shefi i antidrogës Dritan Zagani, i cili pretendon për përfshirjen e familjarëve të ministrit në trafikun e drogës. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u detyrua të ndërpresë 2 herë seancën plenare, ndërsa deputetët e opozitës vijuan të qëndronin në këmbë para foltores ku fliste ministri Tahiri.

Advertisement

“Qëndrimi i maxhorancës dhe qeverisë është që të mos njohë askënd mbi ligjin,  sepse për ne barazia para ligjit është kusht themelor për të qeverisur  këtë vend dhe për të bërë Shqipërinë një vend shumë më të drejtë”, tha Tahiri.

Ndërkohë, ministri Tahiri kërkoi shpjegime nga opozita se “si ka mundësi që me vendim të Këshillit të Ministrave, Dritan Zaganit i kanë dhënë tokë dhe objekt në Orikum në bregdet”. “Pak ditë para se të linit detyrën i keni falur tokë në Orikum në bregdet. Si ka mundësi që me vendim të Këshillit të Ministrave i keni falur objekt në bregdet. Keni blerë intervistën, keni blerë dëshminë nga zyrat e partisë ndaj jepni llogari për këtë, pse një polici i keni dhënë tokë në Orikum dhe objekt në bregdet”, tha ministri Tahiri.

Ministri Tahiri iu referua vendimit nr. 519 datë 13 qershor 2013, sipas të cilit i është falur shtetasit Dritan Zagani objekti “stalla dhe ish ekonomi ndihmëse Orikum, tokë në bregdet”. Ai kërkoi shpjegime nga opozita se për cilën arsye e ka blerë këtë oficer policie, që sot është i arratisur nën  procedim penal për dekonspirim të aksioneve të policisë dhe nuk paraqitet para organeve të prokurorisë për hetim.

Ndërkohë duke u rikthyer në debatin për heqjen e imunitetit të deputetit socialist Prenga, Ministri Tahiri tha se në kohën e Sali Berishës qëllonin me armë në mes të bulevardit oficerë të lartë policie, të cilët jo vetëm nuk u arrestuan por qëndruan në detyrë, madje drejtor në departamentin e Interpolit, ndërsa sot oficerë policie që dalin të implikuar futen në burg. “Ju nuk keni dhënë llogari dhe nuk jeni paraqitur kurrë në prokurori. Ky është dallimi ynë i madh, sepse për çdo akuzë dhe shpifje që ju bëni unë jam i gatshëm të shkoj në prokurori”, tha Tahiri.

Lidhur me avionin me drogë të kapur sot në Itali, Ministri Tahiri tha se sipas raportit të fundit avioni ishte nisur nga Torino me destinacion Lecen. “Çfarë pune ka policia shqiptare këtu”, tha ai.