1 vit pas vrasjes së bankierit Artan Santo, del për herë të parë në publik emri i të dyshuarit kryesor si ekzekutor i tij. Ai është Durim Bami, personi i arrestuar pas deklaratave publike të Tom Doshit, se ishte porositur për ta vrarë edhe atë.
Emri i Durim Bamit si i dyshuari i vrasjes së Santos në zonën e ish-Bllokut, mëngjesin e 26 Qershorit të vitit 2014, është përmendur nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, gjatë dëshmisë që ai ka dhënë para prokurorëve të Krimeve të Rënda, për çështjen “Doshi”, të publikuar nga portali Syri.
Ai thotë se përpara se të takohej me Durim Bamin, me kërkesë të Tom Doshit, kishte mbledhur informacione nga zyrtarë të policisë për 36-vjeçarin nga Fushë-Kruja.
Gjatë dëshmisë së tij, Ministri Tahiri ka shprehur disa herë dyshimet se historia e planit për të eliminuar Tom Doshin, ishte e sajuar për të mbuluar vrasjen e bankierit Artan Santo, ose atë të Kryekomisar Dritan Lamajt, për të cilin është dënuar me burg përjetë, në mungesë, Arben Frroku, vëllai i Deputetit Mark Frroku, që sipas Prokurorisë është autori i historisë së sajuar për eliminimin e Tom Doshit. Këto dyshime, Tahiri thotë se ia ka shprehur në telefon edhe Kryeministrit Rama.
“Unë i thashë që gjithashtu se kjo bëhej ose se, Toma kërkon të jetë në qendër të vëmendjes së Kryeministrit, ose për të mbuluar një tjetër ngjarje kriminale, që sipas meje, ishte diçka që kishte të bënte me Santon ose me vëllain e Deputetit Mark Frroku. Kjo sepse kishim problem me dëshmitarin e drejtësisë për çështjen e vëllait të Frrokut, për çështjen e vrasjes së Dritan Lamaj”
Edhe pse 36-vjeçari Durim Bami nga Fushë-Kruja është prej kohësh i dyshuari kryesor për vrasjen e bujshme të bankierit, siç rezulton nga dëshmia e Ministrit të Brendshëm, ai nuk është proceduar asnjëherë për këtë krim.