Shtatë persona janë arrestuar nga policia britanike në lidhje me sulmin tronditës të një dite më parë në Londër.

Me qindra detektivë kanë punuar përgjatë gjithë natës e kanë bastisur të paktën 6 banesa. Hetimet u përqendruan në zonën e Birmingemit, por kontrollet vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të qytetit. Zyrtarë të lartë të policisë pohuan se bindja e tyre është që atentatori ka vepruar i vetëm, i frymëzuar nga terrorizmi ndërkombëtar, megjithatë po shohin edhe për bashkëpunëtorë të mundshëm.

Advertisement

Mark Rowley, shef i antiterrorist në Londër, u shpreh: “Hetimet sigurisht vazhdojnë dhe ka zhvillime të reja përgjatë gjithë kohës. Ne mbetemi të fokusuar tek motivi i këtij personi, përgatitja dhe njerëzit e lidhur me të. E pranoj se mediat po bëjnë progres në identifikimin e sulmuesit, por unë do t’ju kërkoj që emri i tij të mos bëhet publik përsa kohë jemi në një fazë delikate të hetimit dhe ende po kryejmë bastisje e arrestime”.

Kryeministrja britanike Theresa May e quajti sulmin e së mërkurës produkt të një “mendjeje të sëmurë” dhe një goditje ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe lirisë së fjalës. Ajo shtoi se Mbretëria e Bashkuar nuk do të dorëzohet përpara terrorit, për këtë arsye dhe këmbënguli që Parlamenti të enjten ta rinisë punën si normalisht.

Autoritetet mendojnë se e dinë cili është ky njeri dhe se agresori është frymëzuar nga terrorizmi ndërkombëtar dhe ai i lidhur me Islamin. Sulmuesi përplasi një makinë mbi këmbësorët në urën e Uestminsterit dhe goditi me thikë policin përpara Parlamentit. Ai vetë u qëllua për vdekje nga efektivët në terren, vetëm pak metra larg kullës ikonë të Big Benit. Episodi i dhunës në zemër të Londrës shkaktoi 4 të vdekur, përfshirë dhe vetë autorin, dhe 40 të plagosur, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Mjekët që e panë situatën nga afër thonë se disa prej plagëve ishin “katastrofike”. Në mesin e të lënduarve janë tre adoleshentë francezë, që ishin në një udhëtim të shkollës, dy turistë rumunë dhe dy vajza italiane. Mënyrën e sulmit ekspertët e lidhin me ISIS-in dhe heqin paralele me masakrën e Nisës apo sulmin e natës së Krishtlindjeve në Berlin. Ngjarja e Londrës duket se vë në zbatim udhëzimet e Al Kaedës dhe Shtetit Islamik, të përcjella përmes videove dhe manualeve të detajuara. Instruktorët shpjegojnë aty çfarë arme duhet zgjedhur për sulmet e si duhet mbajtur.

Atentati erdhi në ditën kur kujtohet 1-vjetori i sulmeve të Brukselit, duke u kthyer kështu në një kujtesë të pranisë së terrorizmit dhe faktit që ai mund të manifestohet në forma të ndryshme.