Doza përforcuese Pfizer/BioNTech është efektive në mbrojtjen e individëve kundër shtrimit në spital dhe vdekjes për shkak të COVID-19, krahasuar me marrjen e vetëm dy dozave të paktën pesë muaj më parë, sipas një studimi nga organizata më e madhe e kujdesit shëndetësor në Izrael dhe Universiteti i Harvardit. Studimi u botua në revistën The Lancet.
Studimi që vlerëson efektin e një doze të tretë vaksine, tregon se ajo ul me 93% shanset e shtrimit në spital të lidhur me COVID-19 dhe me 81 përqind vdekshmërinë, krahasuar me marrjen e dy dozave, të paktën pesë muaj më parë.
Analiza bazohet në të dhënat nga 728,321 persona të moshës mbi 12 vjeç që kishin marrë dozën e tretë të vaksinës BNT162b2, krahasuar me të njëjtin numër individësh të vaksinuar me dy doza vaksinash, të administruara rreth pesë muaj më parë.
Ran Balicer, drejtori i Institutit Kërkimor Clalit dhe autor i studimit, tha. “Këto rezultate tregojnë bindshëm se doza e tretë e vaksinës është shumë efektive kundër simptomave të rënda COVID-19 në grupmosha dhe nëngrupe të ndryshme të popullsisë”.
Prof. Miguel Hernán në Universitetin e Harvardit vuri në dukje se “analiza e bazës së të dhënave konfirmon edhe efektivitetin e vaksinës tek adoleshentët”.
“Ky kombinim i provave dhe studimeve vëzhguese është një model për kërkime mjekësore efikase, diçka veçanërisht e rëndësishme në kohët e COVID-19,” shtoi Hernán.
Studimi u krye nga 30 korriku deri më 23 shtator të këtij viti, duke përkuar me valën e katërt të infeksionit në Izrael, dhe gjatë një periudhe në të cilën varianti Delta ishte shkaku dominues i infeksioneve të reja. Efektiviteti i vaksinës u vlerësua të paktën shtatë ditë pas marrjes së dozës së tretë, krahasuar me marrjen e vetëm dy dozave të paktën pesë muaj më parë. Pjesëmarrësit e studimit kishin një moshë mesatare prej 52 vjeç dhe 51 përqind ishin femra.
Prof. Balicer, i cili shërben si Kryetar i Ekipit Kombëtar Këshillimor të Ekspertëve të Izraelit për përgjigjen ndaj COVID-19, sugjeroi se “të dhënat duhet të lehtësojnë vendimmarrjen e informuar të politikave” për vendet e ndryshme, të cilat po përjetojnë një valë të re të infeksioneve SARS-COV-2.
Dr. Ben Reis, në Spitalin e Fëmijëve në Boston tha se “studimi i kujdesshëm epidemiologjik ofron informacion të besueshëm mbi efektivitetin e dozës së tretë të vaksinës”.