Nishani, në fjalën e tij mbajtur në këtë Asamble, vuri në dukje se vendi ka ndryshuar rrënjësisht këto 22 vite demokraci, duke bërë që ekonomia shqiptare të shndërrohet sot në një ekonomi tërësisht dinamike të tregut të lirë. “Dikur, një vend tërësisht i izoluar, Shqipëria tashmë pret me besim marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, bazuar në meritë, ndërsa qytetarët shqiptarë, lëvizin të lirë, pa viza në Evropë. Vendi përballoi ndikimin e krizës globale ekonomike dhe financiare, duke shfaqur një rritje pozitive ekonomike dhe financiare, rrjedhojë e politikave të matura makro-ekonomike, reformave të mirëstrukturuara, liberalizimit të tregtisë, klimës së sipërmarrjes dhe një sërë reformash të tjera të guximshme të ndërmarra në këtë sektor”, tha Nishani. Ai theksoi se, ajo që pritet nga autoritetet shqiptare është rritja e nivelit të standardeve, ndërsa shtoi se qeveria është tërësisht e angazhuar për përmirësimin e vazhdueshëm të tyre, për t`u integruar denjësisht në familjen evropiane. “Shqipëria po feston 100-vjetorin e pavarësisë së saj. Të shumta kanë qenë përpjekjet e kombit shqiptar për të ruajtur ekzistencën e tij kundër copëtimeve, spastrimeve etnike dhe pushtimeve të ndryshme. Por sot, festojmë 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë si një komb i lirë, që ka ditur të shfrytëzojë vlerat e lirisë me arritje konkrete. Presidenca e Komitetit të Ministrave është qershia në tortën e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit tim” shtoi Nishani. Kreu i shtetit theksoi ndër të tjera se për Shqipërinë, bashkëpunimi rajonal shkon përtej vetëm shprehjes së vullnetit politik të fqinjësisë së mirë, pasi nëse të gjitha vendet angazhohen bashkërisht, atëherë mund të ndërtohet një infrastrukturë moderne e përbashkët rajonale. Presidenti Nishani gjithashtu ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, duke shtuar se Republika e Kosovës është tashmë një realitet dhe një faktor stabiliteti në rajon, i cili ka hedhur poshtë çdo skepticizëm. “Çështja e statusit dhe integritetit territorial janë kapituj të mbyllur. Ne jemi për një anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, sepse vetëm në një rast të tillë qytetarët kosovarë do përfitonin maksimalisht nga standardet e Këshillit të Evropës dhe do të kishin akses në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, nënvizoi Nishani. Sipas tij, Kosova, me mbështetjen e vendeve mike që e përkrahin, ka bërë përparime konkrete dhe ka hyrë në rrugën e konsolidimit shtetformues. Këtë fakt, vijoi ai, e dëshmoi edhe vendimi i fundit i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për t`i dhënë fund pavarësisë së saj të mbikëqyrur. “Ky vendim nis një faqe të re në historinë e Kosovës, atë të funksionimit të saj si shtet plotësisht sovran dhe i pavarur”, theksoi ai.