Prokuroria e Posaçme kërkon arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Sipas Klan News, kërkesa e SPAK ka mbërritur në Kuvend. Gazetarja Glidona Daci raporton se SPAK kërkon po ashtu autorizim nga Kuvendi për kontroll në banesat dhe zyrën e Ahmetajt.
Në kërkesën që SPAK ka depozituar në Kuvend, gazetarja thotë se Ahmetaj akuzohet për 3 vepra penale; korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë e fshehje pasurie. Në njoftim, SPAK e akuzon Ahmetajn për korrupsion në 6 raste.
“Përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit… Duke qenë se hetimet vazhdojnë në drejtim edhe të fakteve, të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar në ndodhjen e tyre, me qëllim respektimin e kuadrit ligjor, procedurial penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor, kërkojmë që çdo procedurë që do të zhvillohet, në lidhje me këtë kërkesë, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të zhvillohet në seancë me dyer të mbyllura”, thuhet mes të tjerash në kërkesën e SPAK.
Tashmë lëvizja e radhës i takon Kuvendit. Gazetarja Klesiana Omeri, raporton se vendimin e merr Këshilli i Mandateve, por ende nuk ka një njoftim se kur do të mblidhet.
“Tashmë pritet lëvizja e radhës nga Kuvendi i Shqipërisë, për t’u mbledhur Këshilli i Mandateve në mënyrë që ta heqë mandatin e deputetit, por edhe për lehtësirat e tjera që përfiton nga ky funksion. Ende nuk ka një konfirmim se kur mund të mblidhet Këshilli i Mandateve”, raportoi gazetarja Omeri.
Fillimisht, Prokuroria hetoi rolin e Ahmetajt në inceneratorin e Elbasanit, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërkohë, në muajin shkurt regjistroi një tjetër procedim pas një kallëzimi për 3 akuzat e tjera.
Megjithatë akuza e shpërdorimit të detyrës, siç raporton Daci, ka rënë.
Më herët, njerëzve të afërt të ish-ministrit iu sekuestruan 2 vila, me dyshimet se posedohen në mënyre indirekte prej tij. Gjithashtu, me kërkesë të SPAK në mars u ushtrua kontroll në banesën ku ai jeton.
Më datë 22 Maj, Arben Ahmetaj dëshmoi për më shumë se 5 orë në SPAK dhe pas daljes nga prokuroria tha se kishte sqaruar pozicionin e tij në lidhje me akuzat