Sot është afati i fundit për t’u regjistruar në universitete për të gjithë kandidatët që kanë fituar të drejtën për të vazhduar studimet e larta.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka bërë me dije se nevojiten 3 dokumente për të kryer regjistrimin.
“Kujtojmë të gjithë fituesit për raundin 1, se faza e dytë, data 19 shtator 2015, është afati i fundit për regjistrimin përfundimtar me formularin A2 pranë sekretarive mësimore të fakulteteve”, thuhet ne njoftimin e MAS.
Ministria risjell në vëmendje dokumentacionin që duhet të dorëzoje çdo aplikant pranë sekretarive mësimore të fakulteteve, që të rezultojne të regjistruar përfundimisht në programin e studimit ku jane shpallur fitues: Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit, (e panoterizuar). 2 fotografi personale. Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekë paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare, apo bankave të nivelit të dytë për llogari të IAL-së përkatëse.
Sipas udhëzimit te Ministrisë, u jepet mundësi atyre kandidatëve që nuk regjistrohen të aplikojnë në raundin e dytë, me formularin A3.
“Maturantët që kanë konkurruar në raundin e parë me formularin A2 (fitues ose jo dhe të regjistruar ose jo) dhe dëshirojnë të vazhdojnë garën për të qenë fitues ose për të kaluar në një preferencë më të lartë, duke ruajtur renditjen e preferencave të formularit A2 të plotësuar në raundin e parë, nuk plotësojnë formular të ri, por vetëm shprehin vullnetin të vazhdojnë konkurrimin on-line”, thuhet në udhëzimin e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.
MAS ka bere te ditur se të gjitha universitetet private dhe publike do të hapin dyert më 12 tetor.