Sonda kineze ulet në anën e padukshme të Hënës

Mediat shtetërore në Pekin njoftojnë se një sondë kineze e hapësirës u ul me sukses në anën e padukshme të Hënës, hera e parë në histori. Sonda Chang’e-4 u nis në fillim të muajit të kaluar nga Qendra e Lëshimeve Satelitore Xi-chang në Kinën jugore. Menjëherë pas uljes, sonda dërgoi një foto të sipërfaqes së Hënës. Sonda do të kryejë studime astronomike, analiza mbi përbërjen minerale të Hënës dhe eksperimente mbi rrezatimin e mjedisit rrethues. Ky është mjeti i dytë kinez i hapësirës që bën ulje të butë në Hënë, pas një sonde lëvizëse në vitin 2013. Pekini ka në plan të nisë një sondë të tretë hënore këtë vit, që pritet të mbledhë mostra nga sipërfaqja e Hënës dhe t’i sjellë në Tokë. Misionet hënore pa njerëz janë pjesë e ambicieve të Kinës për t’iu bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë si një fuqi e madhe hapësinore. Planet e saj përfshijnë krijimin e një stacioni të përhershëm hapësinor, dërgimin e njeriut në Hënë dhe nisjen e sondave drejt planetit Mars.

/GazetaShqip/

Advertisement