Sokol Mjacaj tregon si i vrau dy turistët çekë

Sokol Mjacaj ka rrëfyer në polici se si i vrau dy turistët çekë Mikael Svatos dhe Ana Kosinova. Ka pranuar krimin dhe ka treguar se kishte hipur në makinën e tyre me forcë, pasi i kishte kërcënuar me automatik, pak kilometra para se të arrinin në Prekal, ku kreu vrasjen.

“Po, unë i vrava. Doja t’i grabisja, por më kundërshtuan. Hipa në Lotaj. Kur pashë që po bëheshin gati për të lëvizur makinën, i ndoqa dhe u drejtova armën. Hapa derën e pasme dhe u thashë të ecnin” u ka thënë ai hetuesve.

Advertisement

Më pas u ka kërkuar t’i jepnin paratë dhe sendet me vlerë, por dy turistët çekë nuk e kishin kuptuar se çfarë u kërkonte. Ka pritur derisa kanë hyrë në një zonë me pyll dhe u ka kërkuar të ndalonin makinën. 27 –vjeçari, Mikael Svatos që ishte në timon ka pranuar dhe ka tentuar t’i merrte kallashnikovin.

“Më acaroi se u kthye disa herë të merrte armën. Në fillim nuk doja t’i vrisja, doja vetëm t’i grabisja, të merrja dhe makinën dhe të ikja. Por djali frenonte fort, donte të na përplaste. Pastaj deshi të më merrte armën” ka vijuar ai rrëfimin e tij para hetuesve.

Të parin ka qëlluar djalin. Më pas vajzën, për të cilën thotë se qante dhe bërtiste gjatë gjithë rrugës. Teksa plani i tij për t’u marrë makinën dështon, pasi fuoristrada rrëzohet, Mjacaj u merr telefonin celular.

E shet në Prekal pak orë më vonë tek një bashkëfshatar. Celulari do të bëhej shkak për rënien në gjurmët e tij nga policia. I rrethuar në një shtëpi dykatëshe në Grudë të Re ai kërkoi të mos qëllohej.

Por kur u pyet për vrasjen nuk shprehu pendesë. Ai thjesht u shpreh i keqardhur që nuk arriti të realizonte planin e tij për të grabitur makinën.