Slloveni | Reeker: Zgjedhjet ishin sukses për Shqipërinë

Zv.Ministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, e cila po merr pjesë në punimet e Forumit Strategjik të Bled, Slloveni, zhvilloi sot një takim të veçantë me Asistent Zëvendës Sekretarin e Shtetit, Philip Reeker. Zyra e shtypit e MPJ-së bën të ditur se gjatë takimit, Reeker i shprehu zonjës Harxhi opinionin e tij dhe të Departamentit të Shtetit në lidhje me zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, duke thënë se ato ishin një sukses për Shqipërinë dhe Qeveria Berisha dhe Kryeministri Berisha ka meritën për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve më të mira në Shqipëri. Harxhi nga ana e saj shprehu mendimin se opozita e re në Shqipëri do të jetë një forcë solide dhe konstruktive në të mirë të integrimit të vendit dhe se Shtetet e Bashkuara do te gjejnë tek opozita e re e Shqipërisë një partner të fortë për bashkëpunim. Palët diskutuan në lidhje me situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri, parlamentin e ri dhe përbërjen e tij si dhe sulmet e fundit ndaj institucioneve kushtetuese veçanërisht ndaj Presidentit duke shpresuar se këto sulme nuk do të vazhdojnë më tej dhe se kjo do të ishte mënyra për të marrë, gjithashtu statusin e vendit kandidat brenda këtij viti. Reeker shprehu edhe njëherë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë Amerikane ndaj Shqipërisë dhe bindjen e tij se opozita e re e Shqipërisë do të jetë konstruktive dhe e fortë dhe se do të ketë mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në Bled, Slloveni, zv.ministrja e Punëve të Jashtme pati takime edhe me Ministra të Jashtëm të vendeve të rajonit dhe këmbeu pikëpamje në lidhje me situatën aktuale në rajon.

Advertisement