Vendet anëtare të OKB-së u ndanë mbi nismat që duhet të ndërmerren për ndalimin e represionit të regjimit në Siri, që deri më tani i ka marrë jetën mbi 1800 personave. Fuqitë perëndimore i kërkuan me tone të prera Damaskut të ndalë menjëherë represionin dhe vrasjet ndaj civilëve protestues, ndërsa vendet e linjës së butë mes të cilëve Rusia dhe Kina kërkuan dialog. Mbledhja e KS të OKB-së nisi me një raportim të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon, sipas të cilit që nga nisja e revoltave kundër regjimit të presidentit Bashar al Assad janë burgosur 13 mijë persona.