Monumenti NEWBORN, i njohur si simbol i pavarësisë, i vendosur në kryeqytetin kosovar, ashtu si çdo vit edhe sot në 7 vjetorin e shaplljes së Pavarësisë ka ndryshuar dizajn.
Këtë vit monumenti ka marrë një pamje të re, por ajo që bie më shumë në sy është ngjyra e zezë e shkronjës “E”.
Autori i monumentit, Fisnik Ismaili, ia ndryshon dizajnin për çdo vit. Ideja e këtij viti ishte që ky monument të ngjyroset nga vetë qytetarët, sipas dëshirës së tyre.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ismaili shkruan: “E-ja e zezë? Ide e disa artistëve për t’u shprehur për Eksodin, Evropën, Ekonominë, EULEX-in”.
“NEWBORN reflekton realitetin kosovar: ka nisë me u nxi, në një kaos ngjyrash në kërkim të shpresës. Në kërkim të ndjenjës që e patëm sot 7 vjet më parë, e të cilën do ta kthejmë një ditë”, shprehet Ismaili.
Te simboli i Pavarësisë së Kosovës, qytetarët në këtë festë të madhe janë të lirë edhe të shkruajnë ose vizatojnë mesazhet e tyre në këtë festë të madhe, të shtatë viteve realizim ëndërrash shekullore.
Vitin e kaluar pamja e NEWBORN iu dedikua luftës së vitit 1999, sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës kolosale të NATO-s.
NEWBORN është një monument skulpturor dhe historik, ashtu si edhe atraksion turistik në Prishtinë, i cili është zbuluar në ditën e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, 2008. Monumenti përbëhet nga fjala NEWBORN me shkronja të mëdha, që në atë kohë ishte ngjyrosur me ngjyrë të verdhë, ndërkohë që çdo vit ai ka ndryshuar pamje.