Siguria në rrugë, Tahiri: Pas rripit të sigurisë, celulari

Arkiv

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duke folur për masat e policisë rrugore me qëllim shmangien e aksidenteve, ka deklaruar se pas rripit të sigurisë vëmendja do të fokusohet tek përdorimi i celularit.
“Muajin tjetër policia do të nisë masa paraprake për sensibilizimin e drejtuesve sa i takon përdorimit të celularit në timon. Duhen masa radikale për ta bërë edhe përdorimin e celularit njësoj si rripin e sigurimit. Do shtojmë masën e gjobës për ata që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit. Ky është guri kilometrik i dytë në mënyrë që rrugët tona të jenë më të sigurta”, ka thënë Tahiri.
Ai ka vlerësuar se masat e deritanishme të policisë rrugore, që ka ndëshkuar drejtuesit që nuk kanë vendosur rripin e sigurisë, kanë dhënë rezultat.
“Në harkun kohor të një muaji policia rrugore njofton se janë 11 mijë gjoba. Duket shumë por janë më pak se 3 për qind e mjeteve në Shqipëri. Vetëm në një muaj kemi shpëtuar 9 jetë njerëzish dhe kjo është një arritje e madhe, pasi nëse do të vazhdonte marrëdhënia e çalë mes drejtuesve të mjeteve dhe policisë rrugore do të kishim ende humbje në jetë”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se fushata sensibilizuese e policisë do të vazhdojë.

Advertisement