Vatikani po heton se si llogaria zyrtare e Papës në Instagram “i ka bërë like” një fotoje të një modeleje braziliane të veshur me rroba provokuese.
Një postim i publikuar nga modelja dhe blogerja Natalia Garibotto në fillim të tetorit – e cila shfaqej e veshur me rroba të ngjashme me një uniformë shkolle, që ekspozonin trupin e saj – u pëlqye nga llogaria zyrtare e Papës, @franciscus.
Fotoja ishte mbishkruar me një emoji me bri djalli, së bashku me fjalët: “Unë mund t’ju mësoj një ose dy gjëra”.
Më 14 nëntor, një ditë pasi Agjencia Katolike e Lajmeve raportoi mbi skandalin dhe kërkoi nga Selia e Shenjtë për koment, “like” u hoq. Është e paqartë se kur llogaria e Papës e pëlqeu foton.
CNA njoftoi të martën se një hetim po vazhdon aktualisht brenda Vatikanit për të përcaktuar se si ndodhi ky “like”.
Megjithëse një ekip i stafit menaxhon llogarinë e Instagramit të Papës, një përfaqësues nga Selia e Shenjtë tha për The Guardian se ata konfirmuan se asnjë person nga stafi nuk e ka pëlqyer “fotografinë e rrezikshme”. Ata gjithashtu iu drejtuan Instagramit për shpjegime.
Instagrami nuk ka reaguar ende në lidhje me këtë gjë publikisht.
Menjëherë pasi incidenti u bë viral, Garibotto bëri shaka në Twitter, duke shkruar: “Të paktën do shkoj në parajsë”.