Shtyhet deri në 15 korrik afati i shlyerjes me këste të detyrimeve për energjinë

Këshilli Mbikqyrës i OSHEE-së miratoi sot shtyrjen e afatit të shlyerjes të borxheve për mospagimin e faturave të energjisë elektrike deri në 15 korrik, përmes një skeme të re lehtësuese për pagesat me këste, ku përfitues janë 200 mijë konsumatorë.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi sot për mediat se “ky vendim është mundësi për 200 mijë konsumatorë që të hyjnë në skemën lehtësuese, pasi do të kenë më shumë kohë për të shlyer detyrimet për energjinë”.
Ministri tha se “200 mijë abonentë e kishin të pamundur shlyerjen më parë”, ndërsa shtoi se OSHEE ka marrë gjithë masat për këtë proces, që nis nga dita e sotme.
Sipas tij, nga shlyerja e detyrimeve, borxhi është ulur me 2 miliardë lekë më pak.
Shtyrja e afatit qe ishte 31 marsi për pagesat me këste të detyrimeve financiare ndaj OSHEE-së, u miratua për shkak të kërkesave nga vetë konsumatorët, që e kishin të pamundur shlyerjen në afatin e caktuar më parë.
Një numër i lartë, 300 mijë konsumatorë familjarë, u bënë pjesë e skemës së përfitimit deri më datën 31 mars. Por, nisur nga fakti se mbetën jashtë kësaj skeme edhe 200 mijë të tjerë, Këshilli Mbikqyrës i OSHEE-së vendosi afatin e ri, datën 15 korrik për këtë kategori.
Vendimi parashikon rikthimin e skemës së pagesës me këste për debitorët familjarë me 2500 lekë/muaj për konsumatorët familjarë dhe 1000 lek/muaj për pensionistët kryefamiljarë, si dhe uljen me 80% të kamatë-vonesës për këdo që paguan njëherësh gjithë detyrimin ndaj kompanisë.
Nisur nga fakti se kjo skemë e re nis nga sot deri në 15 korrik, zyrat e Klientit në të gjithë Shqipërinë do të rrinë hapur deri në orën 20:00 cdo ditë. OSHEE për të rikuperuar humbjet e krijuara nga vjedhjet përgjatë viteve të shkuara, vijon lidhjen e kontratave me abonentët debitorë. Vlera e borxhit të prapambetur që debitorët i kanë kompanisë arrin në 50.4 miliardë lekë. Deri tani debitorët kanë paguar në sportelet e OSHEE-së 6.5 miliardë lekë.

Advertisement