Shtetet e Bashkuara miratojnë pasaportën e parë me X, për ata që nuk duan t`i japin vetes gjini

Ndërkohë që Senati italian varroste projektligjin Zan, projekt-ligj që synonte të luftonte dhunën me bazë gjinore dhe homotransfobike, Shtetet e Bashkuara nxorrën pasaportën e parë me treguesin gjinor ‘X’ për ata që nuk e identifikojnë veten as burrë dhe as grua. Një pikë kthese në njohjen e të drejtave të njeriut.

Departamenti i Shtetit ka deklaruar se opsioni i ri do të jetë i disponueshëm nga fillimi i vitit 2022 për këdo që do aplikojë për një pasaportë.

Advertisement

Njoftimi erdhi me rastin e Ditës së Ndërgjegjësimit Interseksual dhe që në muajin qershor ishte bërë e ditur se po shkohet drejt këtij ndryshimi, që do të jetë krahas M për meshkuj dhe F për femra.

“Dëshiroj të ritheksoj, me rastin e lëshimit të kësaj pasaporte, angazhimin e Departamentit të Shtetit për të promovuar lirinë, dinjitetin dhe barazinë e të gjithë njerëzve, përfshirë edhe ata të komunitetit LGBTQI”, tha zëdhënësi Ned Price.

Ka tashmë të paktën njëmbëdhjetë vende që kanë opsionin ‘X’ ose ‘tjetër’ në pasaporta. Këto vende përfshijnë Kanadanë, Gjermaninë, Argjentinën, por edhe shtetet aziatike si India, Nepali dhe Pakistani, një trashëgimi e konceptit historik të Hixhrës në Azinë Jugore për të identifikuar njerëzit që e konsiderojnë veten si transgjinorë ose transeksualë.