Shqipëria rritje ekonomike 2.1% gjatë vitit 2014

Ekonomia shqiptare ka pësuar një rritje prej 2.1% përgjatë vitit 2014.

Ky vlerësim bëhet i ditur nga raporti më i fundit i Bankës Botërore mbi prespektivën e ekonomisë globale. Në raportin e publikuar sot BB thekson se ekonomia shqiptare ka mundur të arrijë objektivin e rritjes pavarësisht edhe pse situata në Eurozonë dhe në rang global po përkeqësohet. Sipas raportit të Bankës Botërore ekonomia shqiptare, do të vijojë të rritet gradualisht në vitet në vijim, ku përgjatë këtij vitit është parashikuar një rritje prej 3%, ashtu siç është parashikuar edhe nga qeveria shqiptare, ndërsa në 2016 parashikohet një rritje prej 4%. Sipas raportit, ekonomia globale tashmë po punon vetëm me një motor që është ai i ekonomisë amerikane. Ndërkohë që në rajonet e tjera situata ekonomike është më e zymte. Më e prekura është Eurozona, ku vlerësimi për rritjen ekonomike në 2015 u korrigjua fort në ulje nga 1.8 në 1.1 për qind. Madje raporti paralajmëron se Europa mund të përballet me një periudhë të gjatë inflacioni të ulët dhe rritje të ndrydhur ekonomike. Pak ditë më parë, raporti i Komisionit Evropian për zhvillimet në vendet kandidate dhe në proces integrimi, vlerësonte se në tremujorin e tretë Shqipëria ka shënuar një rritje prej 3.3%.

Advertisement