Shqipëria mbetet e fundit në Ballkan për lirinë e shprehjes!

Një përmirësim në renditjen botërore të Shqipërisë erdhi si pasojë e përkeqësimit më shpejt të vendeve të tjera, bëri të ditur organizata Reporterë pa Kufij në raportin e vet vjetor, ndërsa theksoi se Shqipëria mbetet vendi më i keqrenditur në Ballkan dhe i dyti nga fundi në Europë.

Sjellja e qeverisë dhe e prokurorisë gjatë vitit 2022 sollën shqetësime shtesë për lirinë e shprehjes në Shqipëri, ndërsa vendi u përmirësua me 7 vende në renditjen globale “pjesërisht për shkak të përkeqësimit të vendeve të tjera,” bëhet e ditur nga raporti vjetor i Reporterëve pa Kufij për lirinë e shprehjes në botë.

Advertisement

Reporterët pa Kufij është një organizatë me bazë në Francë, e cila vlerëson lirinë e shprehjes në botë dhe publikon një renditje të të gjtiha vendeve. Shqipëria u rendit në vend të 96 këtë vit, shtatë vende më sipër se sa vitin e mëparshëm dhe me një rritje në vlerësim me 1.45 pikë.

“Pavarësisht progresit në renditje dhe në pikë, Shqipëria mbetet vendi më i keqrenditur në Ballkanin Perëndimor, (nga 6 vende) dhe i dyti më i keq në Europë (nga 40 vendet në zonën e BE-së dhe Ballkanit,” bëri të ditur RSF në raport.

Më keq se sa Shqipëria, në këtë kategori të vendeve është Greqia.

“Problemet sistemike të lirisë së shtypit mbeten po aq të rënda tani. Pikët për Shqipërinë nuk janë rritur shumë (nga 56.41 në 57.86 nga 100), gjë që tregon se renditja më e mirë (nga 10 në 96) mund të jetë pjesërisht rrjedhojë e rënies në vendet e tjera,” shënohet në raport.

“Në lidhje me mjedisin politik, sulmet verbale kundër gazetarëve ishin problem, veçanërisht në pjesën e parë të vitit. Por gazetarët vijojnë të jenë të shqetësuar nga impakti negativ i centralizimit të kohëve të fundit të komunikimit të qeverisë dhe partisë në pushtet,” shkruhet në raport.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama është tashmë famëkeqe për përqendrimin e komunikimit të të gjithë qeverisë në një zyrë pranë kryeministrit, ndërsa një zyrtar publik u pushua nga puna më herët këtë vit për shkak se “dha një intervistë pa leje”. Drejtori, Adrian Koçi i Parkut Kombëtar të Divjakë-Karavastasë u ripunësua pas reagimeve popullore në Facebook. Rasti i tij sugjeron se qeveria nuk është e gatshme të tolerojë as një intervistë jokritike të dhënë pa lejen e saj, e aq më pak, ndonjë qëndrim kritik nga ndonjë zyrtar publik.

RSF thotë se sjellja e prokurorisë speciale, me urdhrin që dha vitin e kaluar për të detyruar gazetarët të mos raportonin mbi materialet e rrjedhura nga sulmi kibernetik kundër institucioneve shqiptare, ishte një goditje tjetër negative ndërsa vendimi i qeverisë për të tërhequr të ashtuquajturën “paketë antishpifje” pas tre vjetësh debatesh, ishte një ngjarje pozitive.

Raporti i vitit të ardhshëm ka gjasa do të jetë edhe më keq se sa ky aktuali. RSF nënvijëzon se ngjarja tragjike e sulmit me armë zjarri ndaj Top Channel, në të cilin një roje, Pal Kola, mbeti i vrarë, “ndodhi në mars të këtij viti, pas periudhës së mbuluar nga ky raport.”

Raporti vlerëson pozitivisht punën e policisë për zbardhjen e sulmeve kundër gazetarëve pa dhënë shembuj konkretë.

Reporterët pa Kufij janë kritikuar nga disa media në Shqipëri për bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama pas vizitës së këtij të fundit në zyrat e organizatës vitin e kaluar. Sipas Lapsi.al, “Edi Rama ka nisur një fushatë joshjeje dhe manipulimi, qëllimi final i së cilës është të fshehë gjendjen e mjerueshme të lirisë së shtypit në vend, që vënë në dukje raportet ndërkombëtare.”

Reporterët pa Kufij reaguan ndaj kritikave duke deklaruar se ata i marrin vendimet në mënyrë të pavarur. Media proqeveritare në vend organizoi pas kësaj një fushatë kundër Lapsit me një numër portalesh që bënë copy/paste të njëjtin shkrim.