Burimet zyrtare nga ministria e arsimit bënë të ditur se provimi filloi njëkohësisht në të gjithë vendin në orën 10.00 dhe zgjati 2 orë e gjysëm. Në provim morën pjesë rreth 41 000 maturantë, të vendosur në mjediset e përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore. Të njëjtat burime bënë të ditur se nga monitorimi i vazhdueshëm i provimit të parë të detyruar të Maturës Shtetërore, në 38 Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore, rezultoi një proces normal, në përputhje me rregulloren e Maturës Shtetërore. Pas përfundimit të procesit, testet e maturantëve do të grumbullohen në Agjencinë Kombëtare të Provimeve dhe do të shpërndahen në qendrat e korrigjimeve për tu vlerësuar.


