Banorët nga zonat e thella apelojnë për hapje të rrugëve pasi u kanë mbaruar furnizimet me ushqime dhe ilace. Në këto zona është ndërprerë mësimi prej disa ditësh, banorët përballen me mungesën e ujit të pijshëm për shkak të ngricave në tubacione, ndërsa mungon energjia elektrike në disa fshatra. Kryetari i bashkisë së Pukës, Beqir Arifaj, tha se, “gjatë dy ditëve të fundit, një problem shumë serioz është shfaqur tek çatitë e banesave, pasi janë rënduar nga trashësia e dëborës dhe rrezikojnë të shemben”. Sipas tij, i gjithë qyteti i Pukës është i përfshirë në një situatë të vështirë, pasi reshjet e dëborës që vazhdojnë të bien, e kanë çuar trashësinë e saj në mbi një metër. Ditën e sotme mësohet se të bllokuara janë akset Shkodër-Pukë-Fushë Arrës-Qafë Mali-Kukës si dhe Qafë Mali-Bajram Curri, Fushë Arrës-Shpal. Në Trebishtë të Dibrës janë dëmtuar catitë e disa shtëpive ndërsa në Shalë është shembur një shtëpi dhe një shkollë. Në juglindje bora vijon të krijojë probleme në Dardhë ku aksi Korcë-Dardhë vijon të jetë i bllokuar ndërsa të izoluara paraqiten Lekasi, Vithkuqi, Trebinja. Megjithatë mbeten ende të bllokuara fshatrat e komunave Velçan e Proptisht në rrethin e Pogradecit, në shkollat e të cilave nuk do të zhvillohet edhe sot mësimi, në komunat Çlirim dhe Novoselë të rrethit të Kolonjës si dhe në fshatrat e komunës Miras të Devollit. Në Korçë ka filluar mësimi normalisht në shkollat e ciklit të ulët dhe ato të mesëm si dhe në Universitetin Fan.S.Noli. Në Gramsh sot njoftohet se janë bllokuar nga bora 7 fshatra të komunës Porocan.