Ministria e Brendshme, me anë të një komunikate shtypi, informoi se sot forcat dhe mjetet e Drejtorive Rajonale të Rrugëve dhe Forcave të Armatosura kanë punuar me intensitet të lartë për të lidhur me akset nacionale edhe qendrat e 14 komunave të fundit të bllokuara në vend. Kështu në Qarkun e Shkodrës është punuar dhe vazhdon puna për hapjen e akseve rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Iballë dhe Fierzë. Në Qarkun e Kukësit është punuar dhe vazhdon puna për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Shishtavec, Grykë Çajë, Kalis, Lekbibaj dhe Arrën. Lura, Selishta dhe Zall Reçi, janë tre komunat e Qarkut të Dibrës, ku gjithashtu vijon puna për lidhjen e qendrave të tyre me akset kombëtare. Puna e kryer gjatë gjithë këtyre ditëve mundësoi ndërkohë lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Qelëz, Kelmend, Poroçan, Lenie, Kukur, Zavalinë, Blerim dhe Bytyç. Përsa i takon emergjencave shëndetësore, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave për ditën e sotme janë raportuar 5 misione me helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë. Kështu janë transportuar për shkak të emergjencave shëndetësore në spitalin e Bajram Currit një burrë dhe një grua nga fshati Papaj, si dhe një person tjetër nga fshati Degë i Tropojës. Janë kryer dy misione të tjera fluturimi për transport medikamentesh mjekësore në Lurë dhe Selishtë. Ndërsa njësia e helikopterëve të Forcave të Armatosura ka kryer 3 misione fluturimi për transport ndihmash humanitare në komunën Kala e Dodës të Dibrës dhe në komunën Trebinjë të Pogradecit.